Hamiltoni: E pabesueshme që barazova rekordin e Fangios
“Jam nga viti 2013 te Mercedesi dhe kur mendoj se arrita të barazoj rekordin e Fangios, me 5 tituj kampionë bote ende më duket e pabesueshme. Diçka e jashtëzakonshme. Aktualisht po përjetoj një ndjesi e çuditshme”, u shpreh Lewis Hamilton, 24 orë pasi është shpallur për të 5-n herë në karrierën e tij kampion bote për pilotë në Formula 1.
Piloti britanik barazoi rekordin e një legjende të këtij sporti, si Juan Manuel Fangio, ikonë e Formula 1 në vitet ’50, ndërkohë që para tij është vetëm një kampion absolut, Michael Schumacher, me 7 tituj kampionë. “Dua të falënderoj skuadrën, pasi nëse arrita të fitoj këtë Botëror është falë atyre, pasi janë njerëz që kanë punuar jashtëzakonisht fort”, ka thënë Hamilton.
“Nuk ishte e lehtë, pasi fundjava në Meksikë nisi me të papritura dhe mund të mbyllej e tillë. Madje mund të them që ishte një garë shumë e keqe. Startova mirë, fitova pozicione, por më pas nuk e mora vesh se çfarë ndodhi, djersita shumë për të ruajtur pozicionet dhe mbi të gjitha, për ta çuar makinën drejt finishit”, ka deklaruar Hamilton, që mundi në këtë duel për titull ferraristin Sebastian Vettel. /Telesport/