Hamiltoni: Jetoj vetëm në shtëpi me frikën se mos infektohem sërish
Një vit më parë, Lewis Hamilton mungonte në garën e Bahrein pas infektimit me koronavirus. Një mungesë që nuk i prishte shumë punë pilotit britanik të Mercedes, pasi e kishte siguruar titullin kampion.
Ndërsa këtë vit, situata është ndryshe, pasi është në një duel “kokë më kokë” me Max Verstappen. Në një intervistë, piloti britanik tha se frika e tij më e madhe është infektimi për herë të dytë me Covid-19, çka do ta detyronte të mungonte në pistë.
“Jetoj vetëm në shtëpi, duke u përpjekur të menaxhoj më mirë jetën dhe situatën. Gjithsesi, jetoj me frikë se mos infektohem sërish”, ka thënë Hamilton.
“Rregullat janë disi më liberale sot krahasuar me vitin e kaluar, ndaj duhet të jem i kujdesshëm. Ka më shumë persona që na vijnë pranë, ndaj kam frikë, pasi infektimi ishte një përvojë jo e mirë për mua. Nëse do të infektohesha sërish do të ishte një lamtumirë me titullin kampion”, ka shtuar Hamilton.