Hamiltoni, kritika Mercedesit: Nuk kemi qenë të përkryer, s’po jap maksimumin në pistë
Ky sezon i Formulës 1 mbetet pa dyshim nga më të vështirët për Lewis Hamiltonin që ndodhet 12 pikë pas Max Verstappenit në renditjen për pilotë.
Gara e radhës është këtë fundjavë në Meksikë, një pistë e vështirë për Mercedesin dhe piloti britanik e di që do të vuajë shumë ndaj Red Bullit.
“Nuk mendoj se ky është sezoni im më i vështirë, por mund të ishte më i mirë për mua nëse nuk do të kishim lënë pikë rrugës. Nuk kemi qenë gjithnjë të përkryer dhe nëse gjërat kanë ndjekur këtë rrjedhë ka pasur një arsye. Shoh përpara për ta marrë maksimumin, duke nisur nga gara e Meksikës”, ka thënë Hamiltoni.
“Nga kjo situatë kemi mësuar shumë, për të qenë të përgatitur për garat e mbetura. Përvoja e akumuluar në gjithë këto vite më ndihmon për ta marrë vendimin e duhur në çaste delikate. Ende nuk po jap maksimumin në pistë dhe kjo më bllokon. E di që mund të përmirësohemi”, ka shtuar Hamiltoni.