Hamiltoni: Tregoni më shumë respekt për Vettelin
Fundjava japoneze në Formulën 1 ishte krejtësisht për t’u harruar për Sebastian Vettelin. Piloti gjerman bëri disa gabime dhe e mbylli në vendin e 6 garën, ndërsa titulli botëror tashmë është një mirazh për të.
Kritikat ndaj katër herë kampionit të botës janë shtuar, megjithatë Vetteli e ka dikë që e mbron dhe nuk është as më shumë e as më pak, por vetë rivali i tij Lewis Hamilton, i cili nëpërmjet një postimi në “Instagram” ka kërkuar më shumë respekt për Sebastian Vettelin.
“Besoj se media duhet të tregojë më shumë respekt për Vettelin. Nuk mund ta imagjinoni sa e vështirë është ajo që bëjmë ne, në këto nivele. Është e vështirë për çdo sportist që është në kulmin e aktivitetit. Është e kuptueshme që ne, si njerëz që jemi, mund të bëjmë gabime. Ajo që ka rëndësi është se si i korrigjojmë”, lexohet në postimin e Lewis Hamiltonit. Një mesazh ky që te Ferrari shpresohet që të ndihmojë në moralin e Vettelit dhe në përmirësimin e paraqitjeve të tij në pistë.