Hamiltoni triumfoi në Itali
Lewis Hamiltoni me Mercedesin fitoi garën e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1, sukses i merituar i pilotit britanik, që bëri një garë në sulm dhe korri një fitore që e afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion.
Ai përfitoi edhe nga gabimet e rivalëve të vet, kryesisht të Sebastian Vettelit, që në kthesat e para të garës nuk evitoi dot një kontakt me Hamiltonin dhe gjermani e mbylli garën i katërti pasi përfundoi në vendet e fundit. Mbi të gjitha, piloti i Mercedesit arriti ta mposhtë Kimi Raikkonenin me makinën tjetër Ferrari, që e kryesoi garën në shumicën e kohës, por u detyrua ta hapë krahun tetë xhiro nga fundi. Finlandezi u rendit i dyti, ndërsa i treti u rendit Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes. Edhe pse Ferrari ishte favorit për ta fituar garën e shtëpisë, pasi garonte para fansave të vet në pistën e Monzas dhe e nisi atë me dy pilotët e saj në vijën e parë të startit, nuk festoi dot. Mercedesi u tregua më konkret në pistë, arriti të jetë o saktë në çastet vendimtare dhe e meritoi fitoren. Ndërkohë që Vetteli mbetet zhgënjimi më i madh i garës, pasi u rendit i katërti edhe pse rikuperoi shumë pozicione pas kontaktit në start, por ndoshta ishte vetë fajtor.
Gara nisi me një kontakt mes Hamiltonit dhe Vettelit që në kthesat e para, me ferraristin që detyrohet ta hapë krahun dhe përfundon në fundin e renditjes, pasi dëmton njëvendëshen e tij dhe në pistë hyn makina e sigurisë. Britaniku me Mercedes parakalon edhe Raikkonenin pas daljes së makinës së sigurisë, por finlandezi kundërpërgjigjet dhe rimerr kreun që e humbi vetëm për pak metra. Ndërkohë që, nga vendet e fundit, Vetteli nis rikuperimin dhe pas 15 xhirosh është i dhjeti në renditje. Pas xhiros së 20-të nisin ndalesat e para dhe hap serinë Raikkoneni, që ndërron gomat, por jo Hamiltoni dhe pilotët e tjerë, që qëndrojnë në pistë dhe hyjnë në bokse pas disa xhirosh.
Vetteli garon si i çmendur dhe kap vendin e pestë, ndërkohë që “dorëzohet” Daniel Ricciardo, që ka probleme me makinën dhe tërhiqet nga gara. Për disa xhirove gara është e qetë, me Raikkonenin që kryeson ndaj Hamiltonit, por pa u shkëputur dhe tetë xhiro nga fundi vjen parakalimi i britanikut, që merr kreun dhe e ruan atë deri në fund, duke triumfuar në shtëpinë e “kokëkuqes”. Duel i fortë për vendin e tretë, me Verstappenin që e mbyll garën para Bottas, por holandezi i Red Bullit penalizohet me pesë sekonda për një kontakt mes tyre disa xhiro më parë dhe dorëzon dy pozicione (renditet i pesti). Ndërsa Vetteli renditet i katërti dhe humbet shumë terren karshi britanikut në renditjen e përgjithshme, tashmë -30 pikë pas Hamiltonit. /Telesport/