Hamiltoni triumfon në Singapor
Lewis Hamilton ka bërë edhe një hap të sigurt drejt rikonfirmimit kampion bote në Formula 1, pasi triumfoi sot në pistën e “Marina Bay”, në garën e vlefshme për Çmimin e Madh të Singaporit, suksesi i 7-të sezonal.
Piloti britanik preu i pari vijën e finishit pas një gare të mërzitshme, me pak emocione e momente interesante, duke e dominuar atë nga fillimi i saj. “Pole” që Hamilton arriti të shtunën praktikisht vlente me 50% të fitores dhe ashtu ndodhi, pasi rivalët nuk arritën në asnjë moment ta vënë në vështirësi. I dyti u rendit Max Verstappen me Red Bull, ndërsa i treti Sebastian Vettel me Ferrari, që ashtu si britaniku ruajtën pozicionet që kishin në fillimin e garës.
Gara e Singaporit u zhvillua me drita, por spektakli në pistë mungoi dhe i vetmi që fërkon duart nga kjo garë është Hamilton, që tashmë ka 40 pikë avantazh karshi Vettel në renditjen e përgjithshme, me 6 gara nga fundi. Nuk pati ndryshime pozicioni për 6 pilotët e parë, ku Bottas (Mercedes) u rendit i katërti, Raikkonen (Ferrari) i pesti dhe Ricciardo (Red Bull) i gjashti, ashtu sikurse edhe e nisën garën. në “top-10” u klasifikuan edhe Alonso (McLaren), Sainz (Renault), Leclerc (Sauber) dhe Hulkenberg (Renault).