Hamiltoni: Vetteli dhe Ricciardo janë të frikshëm
“Është e qartë që këtë sezon do të jetë një sfidë treshe për titullin dhe personalisht e adhuroj këtë situatë”, ka deklaruar sot Lewis Hamiltoni, kampioni i botës në fuqi në Formula 1.
Piloti i Mercedesit ka deklaruar se, përveç Sebastian Vettelit me Ferrarin, pretendent është edhe piloti i Red Bullit, Daniel Ricciardo. Në gjashtë garat e para sezonale, këta tre pilotë kanë fituar secili nga dy gara dhe vetëm fakti që Hamiltoni ka qenë më konstant i ka dhënë atij kryesimin e Botërorit. “Është sfida më e madhe që kam pasur në karrierën time dhe na pëlqen edhe si skuadër. Më pëlqen edhe fakti që më duhet të gërmoj në aftësitë e mia teknike për të zbuluar më të mirën dhe të mësoj sa më shumë për të fituar. Punojmë fort të gjithë për ta pasur makinën më të mirë të mundshme në fundjavë, për të qenë të shpejtë të shtunën në provat zyrtare dhe konstantë të dielën në garë. Gjëra ndryshe që na kanë munguar, ndaj po argëtohem shumë”, ka deklaruar Hamiltoni. Megjithatë, piloti britanik i Mercedesit besob se makina italiane është ende më e shpejta.
“Ferrari është ende makina më e fortë e këtij Botërori, një makinë që deri më tani ka funksionuar mjaft mirë. Edhe pse ne kemi punuar fort dhe jemi më mirë nga parashikimet, sërish ‘kokëkuqja’ është një hap para nesh. Ndaj do të jetë një betejë e fortë mes Ferrarit, Mercedesit dhe Red Bullit, që ka karakteristika të veçanta dhe përshtatet mjaft mirë me pistat”, ka shtuar Hamiltoni.