Hamiltoni zbulon çelësin e suksesit
“Kam fatin e madh që garoj në Formula 1 prej vitesh, çka bën që përvoja mbi shpatulla është e madhe. Në të njëjtën kohë, ndihem në formë të shkëlqyer, fizike dhe psikologjike. Kjo më ka ndihmuar të bëj këtë paraqitje në pistë këtë sezon”, u shpreh Lewis Hamiltoni.
Piloti britanik i Mercedesit ka fituar 6 nga 9 garat e zhvilluara deri më tani, duke u ngjitur 8 herë në podium dhe kryeson me meritë renditjen e botërorit. “Mendoj se ky është sezoni im më i mirë, të paktën deri më tani. Kurrë më parë nuk e kisha nisur kaq mirë një kampionat”, deklaroi Hamilton për “L’Equipe”.
Për britanikun çelësi i suksesit është një tjetër. “Durimi. E rëndësishme është që në çdo moment, në çdo garë, në çdo situatë të jesh i durueshëm dhe produktiv. Në Austri nuk ishim aq të shpejtë, por nuk ka rëndësi, pasi kemi shumë pikë avantazh. Marrim gjërat pozitive dhe shohim përpara”, ka shtuar Hamiltoni, që ka 31 pikë avantazh karshi shokut të skuadrës, Valtteri Bottas.