Hamiti i LDK-së: Ideja se mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë pa njohje të ndërsjellë, e gabueshme

08 prill 2025 | 16:48

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka komentuar qëndrimet e përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Kaja Kallas, për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai e ka kritikuar qeverinë në detyrë se ka prekur një parim të rëndësishëm të dialogut të Brukselit.

Hamiti ka shkruar  në “Facebook” se ideja se mund të ketë normalizim të raporteve Kosovë – Serbi pa njohje të ndërsjellë është e gabueshme.

“Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashme dhe Politika të Sigurisë, Kaja Kallas, paska deklaruar se bashkë me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, po e shqyrtojnë se ‘çka funksionon dhe çka nuk funksionon’ në këtë proces dialogu. As Kosova as Serbia nuk mund të shkojnë rrugës evropiane pa normalizim të marrëdhënieve ndërmjet tyre, paska thënë zonja Kallas, duke përmendur edhe ‘gabimet’ që mund të jenë bërë në këtë proces të deritashëm. Pa njohje reciproke të të dyjave, të Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve. As integrim të tyre në BE. Kjo është premisa themelore për ringjallje dhe përmbyllje të procesit të tejzgjatur të dialogut Kosovë-Serbi, të cilin e ka zvarritur Serbia. ‘Ambiguiteti konstruktiv’, ideja se mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë, është e gabueshme”, ka shkruar Hamiti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka…