Hamiti: Ka tendenca të keqpërdorimit të fesë kundër Kosovës (Video)
Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por jo vetëm të kësaj periudhe, të cilat u stigmatizuan dhe nuk gjetën përkrahje për 20 vjet me radhë, duhet trajtuar në mënyrë njerëzore dhe humane.
Ani pse nuk është e përcaktuar me norma fetare, viktimat e dhunës seksuale edhe në aspektin fetar parashihet të trajtohen në mënyrë ashtu siç duhet.
Në një intervistë për “Kosovapress”, profesori i studimeve islame, dr. Xhabir Hamiti, ka folur për shkuarjen e shtetasve nga Kosova në vatrat e luftës në Siri, nëse është destabilizuar imazhi i fesë islame, kush po manipulon me elementin fetar, a duhet të ekspozohen fytyrat e fëmijëve në rastin kur ndihmohen nga shoqatat bamirëse.
Ai po ashtu ka folur edhe për ligjërimin e hoxhallarëve dhe ka treguar se a duhet të kontrollohen këta të fundit.
Hamiti ka thënë se e gjithë bota e di që Kosova ka bashkëjetuar gjithmonë mes komuniteteve të ndryshme fetare dhe ndërshqiptare.
Megjithatë, sipas tij, së fundmi ka pasur tendenca që feja të keqpërdoret nga aleatët e armiqve të shqiptarëve dhe të manipulohet me të, për të dobësuar trungun shqiptar.
“Ne besojmë fuqishëm se tendencat e jashtme kanë qenë dhe nuk janë ndalur dhe nuk do të ndalen në keqpërdorimin e elementit fetar për të quar ujë në mullirin e huaj. Dhe kjo ka vazhduar dhe vazhdon, por nuk do ta kisha quajtur tendencë të destabilizimit, por tendencë të armiqve të Kosovës për ta paraqitur Kosovën si një vend i cili po prodhon njerëz terroristë, apo fundamentalistë… E kanë prishur jashtëzakonisht imazhin karshi botës perëndimore, karshi vendeve të civilizuara, dhe karshi vendeve liberale. Megjithatë mendoj se shoqëria kosovare ka arritur të vetëdijesohet se ajo ka qenë një formë apo mënyrë e manipulimit për interesa të huaja”, ka thënë Hamiti.