Hamiti kritikon Kurtin: UP-ja s’duhet të lejojë veprimtari politike në mjediset e universitetit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili po zhvillon veprimtari politike në ambiente të Universitetit të Prishtinës.
Ai ka thënë se LV-ja dhe kryeministri Albin Kurti që dy herë po i shfrytëzon hapësirat universitare për qëllime politike.
Hamiti ka shkruar në “Facebook” se Universiteti i Prishtinës nuk duhet të lejojë një gjë të tillë.
“Në mjediset e Universitetit të Prishtinës (UP) s’duhet të zhvillohen veprimtari partiake, të asnjë partie. Lëvizja Vetëvendosje (LV) e Albin Kurtit në prill e mbajti mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm këtu. Dje po ashtu Albin Kurti bëri fushatë elektorale në këto mjedise të universitetit kryesor publik në Republikën e Kosovës. E papranueshme! #UP-ja s’duhet ta lejojë”, ka shkruar Hamiti.