Hamiti, Kurtit dhe Gërvallës: Nuk ia keni sjellë asnjë njohje Kosovës
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj lavdërimeve të krerëve institucionalë për vendimin e Tajlandës që kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në këtë shtet.
Ai ka ironizuar me pretendimet e kryeministrit Albin Kurti dhe kryediplomatës Donika Gërvalla se një veprim i tillë e forcon sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Hamiti ka shkruar në “Facebook” se kjo qeveri ende Kosovës nuk ia ka sjell asnjë njohje të re.
“Liderët e koalicionit LV-Guxo qenkan gëzuar që kosovarët mund të shkojnë në Tajlandë pa viza. Po flasin për progres brenda vendit. Për dinjitet e afirmim jashtë Kosovës. Për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë. Ndërkohë, Qeveria e Kurtit dhe Gërvallës nuk i ka sjellë asnjë njohje të vetme shtetit të Kosovës për tre vjet e gjysmë. Kosova ka hyrë në vitin e dytë të sanksioneve ndërkombëtare falë politikës së mbrapshtë të kësaj kaste pushtetarësh. Forcim i subjektivitetit ndërkombëtar?! Prej kur? Prej kur hymë nën sanksione a?”, ka shkruar Hamiti.