Hamiti: Nuk më kujtohet që Rugova të ketë propozuar shkëmbim territoresh
Njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, ka thënë se nuk kujton asnjë moment ku Rugova të kishte bërë propozim për shkëmbim territoresh.
Ai këtë e ka thënë duke komentuar deklaratën e presidentit të tanishëm të Kosovës, Hashim Thaçi, se Rugova kishte përkrahur idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
“Mua nuk më kujtohet që të ketë propozuar diçka të tillë ndonjëherë Presidenti Rugova. Rugova gjatë viteve të 90-ta thoshte se pavarësia e Kosovës në kufijtë ekzistues ishte zgjidhje e kompromisit, sepse nuk kërkohej bashkim me Shqipërinë pasi ishte kërkesë maksimaliste atëherë”, ka thënë Hamiti përmes telefonit në “Info Magazine”.
“Nuk më kujtohet kjo në asnjë bisedë dhe paraqitjet publike që ka pasur. Më 1991 është bërë një deklaratë politike e të gjitha partive, për tri opsionet e zgjidhjes kombëtare”, ka shtuar ai, por që ku nuk ishte përmendur askund fjala “shkëmbim”, ka thënë ai duke mohuar kështu deklarimin e sotëm të Thaçit.