Hamiti: Propaganda e pushtetit se drafti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën nuk mjafton

10 nëntor 2023 | 16:49

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas tij po përpiqen t’i bindin qytetarët e Kosovës se drafti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën.

Hamiti ka thënë se kjo propagandë e LV-së nuk mjafton.

“Jo që nuk e ka konsultuar qeveria opozitën, por as nuk e ka informuar për draftin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa publikun e gjerë vazhdon ta lërë në terr të plotë informativ, dhe pret që dikush t’i besojë se ka pranuar plan ‘më të avancuar’ për Asociacionin që Albin Kurti me të vetët e kanë kundërshtuar me dhunë (‘Zajednica nuk kalon!’) në të kaluarën jo të largët, kur ishin në opozitë. As propaganda se drafti është në përputhje me ‘germën’ e Kushtetutës nuk mjafton. E ka thënë vetë Kurti se draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës më shumë sesa ndaj frymës së saj. Edhe të vetëve në ‘vija ta trasha’ ua ka shpalosur draftin, siç e ka thënë publikisht ministresha e Drejtësisë. Pse jo në vija të holla? Sepse aty fshihet djalli, siç thuhet proverbialisht: the devil is in the details”, ka shkruar Hamiti në “Facebook”.

Ai ka vlerësuar se vetëm pas publikimit të draftit pushtetarët duhet të tentojnë t’i bindin qytetarët se dokumenti është në harmoni më aktin më të lart juridik në vend.

“Kujt i duhet, dhe pse, referenca në Rezolutën 1244 të OKB-së te preambula e Statutit? Shtetit të Kosovës jo. Duke e mbajtur fshehtë draftin e Asociacionit që mund ta ndërrojë potencialisht karakterin kushtetues (karakterin unitar) të Kosovës, duke krijuar entitet të ri pushtetor për serbët, s’ka se si të na bindin për vlerën e tij, aq më pak se është në përputhje me Kushtetutën tonë. Mbasi ta bëjnë publik dokumentin le të përpiqen të na bindin për qëndrimin e vet. Pa e bërë këtë jo”, ka shkruar Hamiti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka…