Hamiti: ‘Zajednica’ po jetësohet nga Albin Kurti
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka folur për takimin e radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili do të mbahet më 2 maj në Bruksel.
Hamiti në “Facebook” ka shkruar se në këtë takim do të prezantohet drafti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në këtë kontekst, zyrtari i LDK-së ka vlerësuar se “Zajednicës” po jetësohet në kohën e Albin Kurtit, i cili sa ishte në opozitë e kishte kundërshtuar fuqishëm.
“‘Zajednica nuk kalon!’ ka qenë kauza me të cilën Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka ardhur në pushtet, ndër të tjera, para dy vjetësh. E ka kundërshtuar LV-ja formimin e Asociacionit me fjalë e me dhunë në Kuvendin e Kosovës. Më 2 maj kryeministri Albin Kurti takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel për të biseduar për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel e Ohër së voni. Në takim do të prezantohet drafti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, domethënë i ‘Zajednicës’, siç i janë referuar z. Kurti dhe LV-ja e tij vazhdimisht. ‘Zajednica’ po jetësohet me Albin Kurtin kryeministër”, ka shkruar Hamiti.