Hamman kritikon Ronaldon: Nuk pati as kurajon të përgëzonte Marokun
Portugalia e Crisiano Ronaldos nuk mundi të shkonte përtej fazës çerekfinale në Botërorin e Katarit teksa luzitanët u eliminuan nga surpriza Marok.
CR7 nuk mundi të ishte protagonist në atë që mund të konsiderohet si Botërori i fundit që merr pjesë dhe zhgënjimi i tij ishte i dukshëm teksa në disfatën ndaj Marokut, sulmuesi la fushën e lojës në lot dhe iu drejtua menjëherë dhomave të zhveshjes. Por, duket se ky gjest i 37-vjeçarit ka lënë një shije të hidhur tek ish-lojtari i Bayern Munich, Dietmar Hamman i cili theksoi se Ronaldo nuk pati kurajon për të komplimentuar kundërshtarët për arritjen e jashtëzakonshme.
“Mendoj se Maroku përfaqësoi anën njerëzore në këtë Botëror, flasim gjithë kohën për yje të super paguar dhe pastaj ka edhe nga ata (Ronaldo) të cilët as nuk i përgëzojnë në fundin e ndeshjes. Ata fituan me Portugalinë dhe bënë diçka të jashtëzakonshme, historike dhe ai (Ronaldo) nuk kishte as kurajon për t’i lavdëruar. Shikojeni çfarë ndodhi me Francë, të gjithë përgëzuan lojtarët e Marokut sepse arritën diçka të jashtëzakonshme në Kupën e Botës. Ata lojtarë edhe në humbje treguan dinjitet”, u shpreh Hamman.