Hamza: 9 shkurti do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit tonë
Kandidati i PDK’së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se 9 shkurti, data që Presidentja Vjosa Osmani caktoi për zgjedhjet parlamentare, do ta përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit, shkruan Reporteri.net.
Hamza ka thënë se këtë rrugë nuk mund ta përshkojë i vetëm, derisa ftuar qytetarët që të bashkohen me të “për ta ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të bashkuar dhe më të drejtë. Së bashku mund të bëjmë ndryshimin që kemi pritur.”.
“Është koha për të besuar në të ardhmen tonë dhe për t’u angazhuar që 9 shkurti 2025 të jetë dita kur fillon një kapitull i ri për Kosovën”, ka shkruar Hamza.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar sot 9 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.
Opozita kishte propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar, derisa partia në pushtet nuk dihet se çfarë date ka preferuar.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.