Hamza bëhet lideri i parë nga Ballkani që e takon emisarin e ShBA-së: U pajtuam për bashkëpunim dhe koordinim
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, është bërë lideri i parë nga Ballkani që e ka takuar emisarin e ri të Amerikës për Ballkan, Alexander Kasanof.
Lajmin e ka bërë me dije Hamza në profilin e vet në “Facebook”.
Ai ka treguar se në takim janë diskutuar situatat e fundit, dhe e ka prezantuar planin e tij qeverisës.
Postimi i plotë:
Pata takim të rëndësishëm dhe të ngrohtë në State Department, me udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, z. Alexander Kasanof. Jam tejet i nderuar që jam lideri i parë nga Ballkani që po e takoj z. Kasanof, prej kur ka ardhur në detyrën e zëvendësndihmë sekretarit për Ballkanin Perëndimor. Eksperienca unike e tij e bëri shumë të dobishëm diskutimin e sfidave në peizazhin e ri gjeopolitik botëror. Në takim ishte edhe drejtoresha për Evropën Juglindore, znj. Colleen Hyland, e cila ka shërbyer në ambasadën amerikane në Kosovë dhe është një mbështetëse e madhe e jona.
Në këtë takim tepër të rëndësishëm dhe përmbajtjesor, z. Kasanof e urova edhe për postin e ri. Ne u pajtuam për nevojën thelbësore për bashkëpunim, koordinim dhe parashikueshmëri në marrëdhëniet tona me ShBA-në, ndërsa unë e prezantova planin e qeverisjes sime të fokusuar në zhvillim të hovshëm ekonomik, me investime strategjike, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në NATO, ku mbështetja e ShBA-së do të jetë përcaktuese.
Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi humbur shumë kohë, por jam më i bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes. Takimin e përfundova me optimizëm që konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen, që të fokusohemi në rezultatet konkrete për qytetarët tanë dhe jo në krijim të dramave që nuk sjellin asgjë, pos izolim dhe injorim.