Hamza dhe Mantovanelli nënshkruajnë marrëveshje në vlerë 14.6 milionë euro
Ministri i Financave Bedri Hamza dhe udhëheqësi i Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli, kanë nënshkruar të mërkurë Marrëveshjen për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturës Gjeohapësinore, ndërmjet Qeverisë së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Botërore, ndërsa realizimi i projektit do të bëhet përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Me këtë rast Ministri Hamza e vlerësoj lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që sipas tij ka për qëllim që të rris transparencën dhe cilësinë e administrimit të tokës, kualitetin e të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore.
“Njëkohësisht, përmes këtij projekti do të përmirësohet cilësia e të dhënave kadastrale duke investuar në avancimin e teknologjisë aktuale, zhvillimin dhe përditësimin e regjistrit të ndërtesave si dhe përmirësimin e kushteve të Zyrave Kadastrale Komunale”, u shpreh Hamza.
Ai bëri të ditur se vlera e Marrëveshjes është 14.6 milionë euro, e cila karakterizohet si kredi e butë me maturitet afatgjatë prej 30 viteve, ku 5 vite janë grejs periudhë, ndërsa 25 vite të tjera amortizim i kredisë. Kostoja vjetore apo interesi është 1.35%, gjë që e bën këtë kredi mjaft të volitshme.
Sipas Hamzës, avancimet që do të arrihen përmes implementimit të kësaj marrëveshje do të jenë shumë-dimensionale, duke filluar nga aspekti institucional dhe ligjor me hartimin e strategjisë së përditësuar të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
“Përmes kësaj marrëveshje do të ofrohet përkrahja në përgatitjen dhe implementimin e kornizës ligjore dhe rregullative për Kadastër si dhe zhvillimin e studimeve dhe analizave të tregut të tokës, modernizimi i Kadastrit nëpërmjet zhvillimit dhe përditësimit të regjistrit të ndërtesave dhe renovimeve në Zyrat Kadastrale Komunale, si dhe avancimi i Teknologjisë informative dhe Komunikimit si dhe infrastruktura gjeohapësinore duke avancuar teknologjinë aktuale në atë të verzionit të fundit ”, shtoi Hamza.
Ai gjithashtu bëri të ditur se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe avancimit dhe përditësimit të të dhënave në arkivin digjital si dhe zgjerimi i kuadrit.
Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën Marco Mantovanelli, ka deklaruar se “Sigurimi i të drejtave pronësore është thelbësor për përmirësimin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të Kosovës, meqenëse të drejtat e definuara mirë janë gurthemel për një ekonomi dinamike tregu”, u shpreh ai.
Sipas Mantovanellit, ky projekt do të ndihmojë që qasja në financa të rritet, ndërsa informaliteti në ekonomi të zvogëlohet, duke ndikuar pozitivisht në tregun e kredive dhe në sektorin bankar komercial, gjë që mund të rezultojë në më shumë investime dhe më shumë vende pune.
/Epoka e re/A.M