Hamza dhe Mehmeti takojnë drejtuesit e lartë të FMN-së
Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në përbërje të guvernatorit, Fehmi Mehmeti, kryetarit të Bordit, Flamur Mrasori, zëvendësguvernatorit, Sokol Havolli dhe shefi i kabinetit të guvernatorit, Nexhat Miftari po vazhdon të marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që po mbahen në Bali të Indonezisë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e ka informuar për zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.
Në vazhdim të vizitës në Bali, guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takim edhe me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen, të cilin e ka informuar lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë dhe e ka falënderuar atë për përkrahjen dhe aprovimin e kërkesës së BQK-së për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).
Në takimin pasues me zëvendësdrejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, James Morsink, guvernatori Mehmeti ka shprehur falënderimin për aprovimin e kërkesës për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim në ofrimin e informatave me qëllim të përfundimit të suksesshëm të këtij rishikimi dhe zbatimin e rekomandimeve që eventualisht do të dalin nga ky rishikim.
Gjatë kësaj vizite është nënshkruar edhe marrëveshja e mirëkuptimit mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga guvernatori Mehmeti dhe Bankës Qendrore të Turqisë, përfaqësuar nga guvernatori Çetinkaya, që ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve mes dy institucioneve.
Gjithashtu, në vazhdën e këtyre takimeve, guvernatori Mehmeti është takuar edhe me drejtoreshën ekzekutive në largim të Konstituencës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Michaela Erbenova, të cilën e ka falënderuar për përkrahjen e saj të vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe njëkohësisht i uroi fat dhe suksese në angazhimet e saj në të ardhmen.
Në takimet e zhvilluara, pjesëmarrës në takime ishin edhe ministri i Financave, Bedri Hamza.
/Epoka e re/