
Hamza: Falë sakrificës së popullit tonë dhe bombardimeve të NATO-s, Kosova fitoi lirinë
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza ka kujtuar 26-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e okupatorit serb.
Hamza, përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se këto bombardime ishin jetike për ekzistencën e popullit të Kosovës.
Ai ka shprehur mirënjohje ndaj ShBA-së, NATO-s dhe të gjithë aleatëve perëndimorë.
“Në kujtim të ngjarjeve që formësuan të ardhmen tonë, dita kur aleanca veriatlantike nisi bombardimet mbi caqet serbe ishte jetike për ekzistencën e popullit tonë. Pa luftën çlirimtare, bashkësia ndërkombëtare nuk do ta organizonte Rambujenë. Pa marrëveshjen e Rambujesë nuk do të kishte intervenim të NATO-s. Falë sakrificës së popullit tonë dhe bombardimeve të NATO-s, Kosova e fitoi lirinë”
“Përjetësisht mirënjohës ndaj ShBA-së, NATO-s dhe të gjithë aleatëve perëndimorë! Paqja nuk u arrit lehtë, por ia vleu çdo sakrificë!”, shkroi Hamza.