
Hamza: Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që i besuan PDK-së, institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa
Pas përfundimit të numërimit të votave, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka dal me një reagim publik.
Ai u ka uruar sukses të gjithë deputetëve të zgjedhur dhe ka falënderuar mbi 196 mijë votues që kanë besuar tek PDK-ja.
Hamza ka bërë thirrje që institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa.
“Procesi zgjedhor po shkon drejt fundit dhe ditëve të ardhshme presim të certifikohen edhe rezultatet zgjedhore. Deputetëve të zgjedhur të të gjitha subjekteve politike iu dëshiroj suksese në punën e tyre. Nga mandatet e fituara buron edhe detyra e shenjtë për t’iu shërbyer me ndershmëri dhe përgjegjësi atyre që besuan te secili i zgjedhur. Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që besuan te Partia Demokratike e Kosovës. Faleminderit për mbështetjen që na e keni dhënë për ta bërë Kosovën më të mirë! Institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe është përgjegjësi e jona t’i respektojmë afatet ligjore dhe të jemi transparentë. Së bashku duhet t’i mbrojmë vlerat që na bashkojnë, interesin publik dhe vendin tonë!”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.