Hamza: Fati i Kosovës në duart e një grupi të ngushtë, unë e kam parë propozimin franko-gjerman
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka folur për takimin që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ku Hamza mori pjesë së bashku me kryesinë e PDK-së.
Hamza shprehet i shqetësuar nga ajo që ka parë në planin franko-gjerman. Ai thotë se është vetëm një grup i vogël i njerëzve në Kosovë që kanë parë propozimin.
“Fati i Kosovës është në duart e një grupi të ngushtë. Një grup i ngushtë që ka qasje tek ai dokument. E kam parë dokumentin. Kam pasur qasje në dokument. Është bazë për tu diskutuar, por mendoj se brenda në vetvete ka pasigurisë të panjohura për shtetin e Kosovën. Qëndrimi është për t’u diskutuar“, ka thënë Hamza në emisionin Pressing në T7.
Hamza shton se edhe po të mos jesh pjesë e qeverisë, përsëri e ndjen veten fajtor nëse e sheh atë dokument e nuk flet për atë që e pret Kosovën. Sipas Hamzës, ai mban shumë paqartësi dhe të panjohura për Kosovën.
“Problemi është se nëse ti e vëren se diçka nuk është e duhura për vendin dhe pajtohesh me diçka të tillë pavarësisht që nuk ke qenë pjesë e qeverisë, mos paq përgjegjësi tjetër. Plani franko-gjerman mban në vete të panjohura. Nuk e shoh problemin tek dokumenti aktual, por problemi është se çka derivon prej këtij dokumenti”, shtoi Hamza.