Hamza garanton mbështetje financiare për kompleksin memorial të familjes Jashari
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të hënën në takim drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj, me të cilin ka biseduar për gjendjen e komplekseve memoriale në Kosovë, me theks të veçantë kompleksin memorial të familjes Jashari.
Ministri Hamza i ka thënë drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj, se përkrahja financiare për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e Kompleksit Memorial të familjes Jashari nuk do të mungojë asnjëherë.
Ai gjithashtu ka deklaruar se aktualisht janë në dispozicion një milionë euro të cilat janë në shfrytëzim, kurse sa u përket mjeteve shtesë, të cilat duhen për realizimin e projektit për kompleksin Adem Jashari do të ndahen sipas kërkesës dhe nevojave që do të ketë kjo agjenci.
Ndërsa, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Idriz Blakaj, ka falënderuar ministrin Hamza për gatishmërinë e tij për të mbuluar financiarisht shpenzimet sa i përket memorialeve në përgjithësi në Kosovë, në veçanti memorialin e familjes Jashari.