Hamza: Gjermania, partnere strategjike e Kosovës
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin ka diskutuar për progresin të cilin e ka arritur Kosova gjatë këtyre muajve në fushën e financave.
Hamza ka falënderuar ambasadorin gjerman Christian Heldt dhe shtetin gjerman, si partner strategjik i Kosovës, për ndihmën që vazhdon të jep për Ministrinë e Financave dhe agjencitë e saj.
Me këtë rast, Hamza e ka njoftuar ambasadorin gjerman për progresin dhe të arriturat në Ministrinë e Financave, për trendin pozitiv të të hyrave gjatë këtij gjashtë mujori, për nivelin e shpenzimeve buxhetore, si dhe për stabilitetin makro fiskal në përgjithësi.
Po ashtu, Hamza e ka njoftuar ambasadorin Heldt, për reformat në legjislacionin tatimor dhe planet e Ministrisë së Financave për reformat në politikat fiskale, në të mirë të të bërit biznes në Kosovë.
Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka shprehur gatishmërinë e shtetit gjerman për vazhdimin e bashkëpunimit dhe ofrimin e ndihmës për Kosovën në realizimin e planeve strategjike në fushën e financave.
/Epoka e re/