Hamza kërkon mbështetje nga Gjermania dhe Izraeli për zhvillimin e Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Në këtë takim është biseduar për çështje të ndryshme, me theks të veçantë për nxitjen e zhvillimit ekonomik në qytetin e Mitrovicës.
Kryetari Hamza ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale Gjermane ndaj Republikës së Kosovës, ndërsa ambasadori Rohde e ka falënderuar nikoqirin për mikpritjen që i është bërë gjatë vizitës së tij në Mitrovicë.
Po ashtu, Hamza të enjten është takuar edhe me një delegacion nga Izraeli, të kryesuar nga afaristët Damian Brikman, kryeshef ekzekutiv i Korporatës për Zhvillim dhe Investim të Izraelit në Kosovë (KIDIC) dhe Hilik Bar, ish-nënkryetar i Bashkisë së Jerusalemi. “Në këtë takim është diskutuar rreth mundësisë së bashkëpunimit të Komunës së Mitrovicës me kompaninë ‘KIDIC’ në segmente të caktuara të qeverisjes lokale, respektivisht në realizimin e disa projekteve të cilat do të gjeneronin vende të reja pune. Me këtë rast, kryetari Hamza ka falënderuar afaristët izraelitë për gatishmërinë e tyre që me projekte konkrete të ndihmohet zhvillimi ekonomik i qytetit. Në fund të takimit, të dy palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në realizimin e projekteve të cilat do të sigurojnë mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës”, ka njoftuar Komuna e Mitrovicës.