Hamza kërkon nga qeveria ta zbatojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta ketë prioritet vaksinimin e popullatës, pasi një gjë e tillë sipas tij ndërlidhet me rimëkëmbjen ekonomike.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se gjendja ekonomike është e rëndë, dhe se qeveria duhet të fillojë me implementimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, pasi pas 6 muajve ky ligj do të shfuqizohet.
“Vaksinimi i popullatës është prioritet jo vetëm për shëndetin e qytetarëve edhe për rimëkëmbje ekonomike. Se gjendja ekonomike është e rëndë, tregojnë edhe shumë indikatorë makro-ekonomik. Kemi shumë biznese që kanë falimentuar e shumë punëtorë që kanë humbur vendin e tyre të punës. Ndërsa, borxhi publik është rritur. Shqetësuese mbetet që as në programin qeveritar nuk parashihet asnjë masë konkrete se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike e vendit pas Covid-19”, ka thënë ai.
Hamza ka kërkuar nga qeveria që pagat e punëtorëve të sektorit privat të jenë 300 euro, që familjet që marrin ndihma sociale të marrin nga 100 euro shtesë për muajt maj-gusht, si dhe të falen gjobat që janë shqiptuar gjatë pandemisë.
“Gjendja është e rëndë, sikur të ishin marrë të gjitha masat me kohë nuk do të ishim në këtë gjendje. Pagat e punonjësve në sektorin privat të jenë 300 euro në muaj gjatë pandemisë. Të ketë mbështetje shtesë prej 40 milionë eurove për të gjitha bizneset që kanë qenë të mbyllura e nuk kanë funksionuar në rregull gjatë pandemisë. Të gjithë fituesit e skemave sociale të paguhen shtesë me nga 100 euro për muajin maj, qershor, korrik, gusht. Të parashihet falja e gjobave në kohë pandemie. Ata që i kanë paguar t’u rimbursohen. Kërkojmë plan konkret në 2-3 vitet e ardhshme të ndihmojnë qytetarët dhe bizneset”,ka deklaruar Hamza.