Hamza: Legjislacionin tatimor do ta kemi në përputhje me direktivat e BE-së
Funksionalizimi i ekonomisë së tregut si dhe reformat në politikat fiskale të vendit janë të domosdoshme për lehtësimin e mëtejmë të të bërit biznes, por edhe për fuqizimin e sektorit privat në Kosovë. Kjo u tha gjatë një takimi të ministrit të Financave, Bedri Hamza, me drejtuesit e kompanive anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka shprehur gatishmërinë e Odës Amerikane për të kontribuar me rekomandime për procesin e plotësim-ndryshimit të legjislacionit tatimor.
Ai ka shprehur shqetësimet e Odës Amerikane sa i përket menaxhimit të parasë publike, veçanërisht disa vendimeve të cilat mund të çojnë në rritjen e ngarkesës fiskale për bizneset.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka sqaruar se rrezikimi i stabilitetit makrofiskal në Kosovë mund të krijojë probleme si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.
Ai ka theksuar se synim i Ministrisë së Financave vazhdon të mbetet përkrahja e sektorit privat për lehtësimin e eksportimit të produkteve në tregun rajonal, duke pohuar se ky ka qenë qëllimi i masave fiskale të zbatuara nga ana e Ministrisë së Financave për lirime doganore dhe shkurtim të procedurave doganore.
Hamza ka njoftuar se MF-ja është duke punuar për ndryshimin e legjislacionit tatimor në përputhje me direktivat e BE-së.