Ligji për financat e pushtetit lokal ka rëndësi të veçantë për funksionimin e komunave
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Asociacioni i Komunave, ku është diskutuar për Projektligjin për financat e pushtetit lokal.
Hamza gjatë takimit me kryetarët e komunave të Kosovës ka theksuar se Ligji për financat e pushtetit lokal është i një rëndësie të veçantë për funksionimin e pushtetit lokal.
Ai ka theksuar se koncept dokumenti për financat e pushtetit lokal është aprovuar nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, ku edhe janë paraparë të bëhen disa ndryshime ligjore.
Gjithashtu ministri Hamza ka thënë se është shumë me rëndësi krijimi i grantit specifik për shërbime sociale sipas sistemit të hapur të financimit të njëjtë si për arsim dhe për shëndetësi, po ashtu me këtë projektligj parashihet që të definohen më qartë kriteret për ndarjen e granteve të veçanta.
Ai ka shtuar se me këtë rast Qeveria e Kosovës duhet të aprovojë udhëzimet administrative të propozuara nga ministritë e linjës.
“Si rezultat i bartjes së buxhetit dhe numrit të punëtorëve nga niveli lokal në atë qendror për shërbimet e centralizuara, do të zvogëlohet granti i përgjithshëm nga 10 për qind në 9 për qind dhe ky zvogëlim i grantit do të ketë efekt neutral në buxhetin e komunave”, është shprehur ministri Hamza.
/Epoka e re/