Hamza në samitin e Vjenës flet për progresin e arritur në sektorin e ekonomisë

04 korrik 2018 | 15:42

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka marrë pjesë në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili është mbajtur në Vjenë të Austrisë.

Ky samit vjen si vazhdimësi e procesit të Berlinit dhe ka për qëllim t’i diskutojë zhvillimet ekonomike të vendeve të rajonit me qëllim të bashkëpunimit dhe të lehtësimit në qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Njëkohësisht, ky takim i paraprin takimit të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet javën e ardhshme në Londër.

Në fjalën e tij, ministri Hamza ka folur për hapat që Qeveria e Kosovës i ka marrë për ta ruajtur stabilitetin makro-fiskal dhe financiar dhe për ta përmirësuar ambientin e të bërit biznes, ku si rezultat i këtyre veprimtarive në vitin e kaluar Kosova është ranguar si një ndër vendet top reformatore në raportin e të bërit Biznes të Bankës Botërore.

Më tej, ai ka theksuar sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet sektori privat për të pasur qasje në financa dhe në këtë kuadër ka ftuar të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare të ofrojnë mbështetje dhe të ofrojnë produkte të reja financiare për të cilat kanë nevojë bizneset në Kosovë.

Në kuadër të diskutimeve lidhur me zhvillimet në fushën e ekonomisë digjitale, ministri Hamza ka përmendur hapat që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës për t’i mbështetur të gjitha nismat që janë në favor të shtrirjes së formave të veprimtarive ekonomike digjitale në Kosovë.

Ky takim është organizuar nga Britania e Madhe në bashkëpunim me Austrinë dhe në të kanë marrë pjesë ministrat e fushave ekonomike të vendeve të rajonit dhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian si dhe komisionari evropian Johannes Hahn.

Në këtë samit pjesëmarrësit u pajtuan për progresin e arritur për zbatimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, në kuadër të katër fushave të këtij plani: në tregti, investime, mobilitet dhe integrim digjital.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se rreth…