![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/10/244384445_120488473700595_2220341571791594958_n.jpg)
Hamza: Mitrovica ka potencial për një zhvillim urban dhe rural
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, ka takuar sot disa nga përfaqësuesit e hotelerisë të kësaj komune.
Ai ka thënë se ata kanë pasur shumë humbje gjatë pandemisë, duke shtuar se është e nevojshme që institucionet të tregojnë më shumë ndjeshmëri ndaj tyre.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ata duhet të mbështeten për tejkalimin e këtyre krizave.
“Gjithmonë kemi pasur kulturë të shërbimit dhe hotelierë të suksesshëm. Disa prej tyre i takova dhe biseduam shtruar për zhvillimin e hotelerisë në Mitrovicë. Kanë pasur shumë humbje gjatë këtyre dy viteve dhe është tejet e nevojshme që institucionet të tregojnë më shumë ndjeshmëri ndaj tyre, duke i mbështetur për tejkalimin e krizave që u kanë ardhur si pasojë e pandemisë. Mitrovica ka potencial për një zhvillim urban e rural më të përshpejtuar. Mitrovica ka potencial që të bëhet destinacion turistik. Bashkë për Mitrovicën!”, ka shkruar ai.