Hamza në Ferizaj: Asnjë komunë nuk do të diskriminohet në qeverisjen time
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot qytetin e Ferizajt, komunë që udhëhiqet nga Agim Aliu.
Hamza ka thënë se me qeverisjen e tij, komunat nuk do të diskriminohen dhe të gjitha do të trajtohen në mënyrë të balancuar.
“Ferizaj dhe të gjitha komunat e Kosovës, në qeverisjen time do të trajtohen me investime në mënyrë të balancuar dhe asnjëra nuk do të diskriminohet nga ekzekutivi i vendit”.
Ky është postimi i plotë i Hamzës:
Ferizaj ishte qyteti i radhës, të cilin e vizitova sot.
Me Agimin biseduam shtruar për përgatitjet që jemi duke i bërë, për organizimin që na duhet për ta marrë besimin e qytetarëve që të qeverisim me vendin. Është domosdoshmëri që Kosovën ta rikthejmë në binarët e zhvillimit, integrimit dhe anëtarësimeve, që ta forcojmë subjektivitetin shtetëror.
Është domosdoshmëri që të depolitizohen proceset e punës, të ulen polarizimet dhe së bashku me partnerët tanë, siç jemi koordinuar gjithnjë, të ecim përpara. Kosova dhe qytetarët e saj, me patjetër duhet të lëvizin përpara, sepse mjaft kemi vendnumëruar këto vite.
Ferizaji dhe të gjitha komunat e Kosovës, në qeverisjen time do të trajtohen me investime në mënyrë të balancuar dhe asnjëra nuk do të diskriminohet nga ekzekutivi i vendit.