Hamza në Podujevë dhe Obiliq: Sonte PDK-ja e paska dridhë, paska puls
Kandidati për Kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, gjatë tubimit në Podujevë theksoi se kjo fushatë është një moment historik për Kosovën, duke paraqitur një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit.
“Sonte Partia Demokratike e paska dridhë, paska puls. Kjo fushatë është më shumë se një garë; është një rrugëtim drejt një të ardhme të re, më të mirë për Kosovën. Është momenti ynë historik, momenti i kthimit të përgjegjësisë për të udhëhequr Kosovën drejt zhvillimit dhe integrimit euroatlantik”, tha Hamza.
Ai premtoi investime konkrete për Podujevën, përfshirë mbështetjen për fermerët dhe përmirësimin e infrastrukturës.
“Ne do të ndërtojmë depo moderne për produktet bujqësore, që frutat dhe perimet e fermerëve tuaj të kenë mundësi të tregtohen me vlerë meritore në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Rruga Prishtinë-Podujevë do të jetë prioriteti ynë absolut, duke përfshirë ura, trotuare dhe ndriçim, që e keni pritur për një kohë të gjatë”.
Hamza përfundoi duke premtuar një të ardhme ku çdo i ri ëndërron dhe çdo familje jeton me krenari.
Gjatë tubimit në Obiliq, Bedri Hamza u fokusua te mbështetja për këtë komunë, duke nënvizuar rëndësinë e ligjit të veçantë për Obiliqin dhe përfitimet që ky vend meriton si furnizues i energjisë për të gjithë Kosovën.
“Kam qenë përkrahës dhe mbështetës gjithmonë që Obiliqi ta ketë ligjin, që Obiliqi të përfitojë. Meriton nga kjo që i jep dritë krejt Kosovës, dhe jam i lumtur që kjo është duke ndodhur. Jam i bindur që kjo nuk është mjaftueshëm dhe ka me u bë edhe më shumë”, deklaroi Hamza.
Ai gjithashtu shpalosi planet për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve për sektorin privat.
“Te bizneset nuk i kemi qëllim veç pronarët, por edhe të punësuarit në sektorin privat, që ata të kenë rroga më të mira dhe jetë më të dinjitetshme. Do të themelojmë Gjykatën e Punës për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe një fond papunësie që të sigurojmë mbështetje financiare për ata që humbin vendin e punës”, ka thënë Hamza,
Bedri Hamza ritheksoi përkushtimin e PDK-së për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.