Hamza nënshkruan kontratat e bursave për 230 studentë mitrovicas
Në hapësirat e muzeut të qytetit, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka nënshkruar kontratat për bursa me 230 studentë për vitin akademik 2022/2023.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave, i pranishëm ishte edhe drejtori i Drejtorisë së Administratës, Gëzim Stavileci, i cili ka përgëzuar të gjithë studentët bursistë të cilët falë angazhimit të tyre kanë arritur ti përmbushin kriteret e të jenë përfitues të bursës komunale.
Ndërsa, në fjalën e tij, kryetari Hamza, ka thënë se me bindje të plotë i qëndron fjalës së tij se investimi në arsim është investimi më i nevojshëm në shoqërinë tonë, duke shtuar se financimi i bursave asnjëherë nuk llogaritet si shpenzim, përkundrazi, është investimi më i duhur për të ardhmen.
“Ndihem shumë krenar që kemi arritur të rrisim numrin edhe për 180 bursa për studentët e Mitrovicës dhe pa dyshim që kjo mbështetje financiare nga institucionet lokale do të shërbej si një motiv shtesë në ambiciet tuaja në rrugën e ngritjes dhe aftësimit profesional. Urime dhe suksese për të gjithë studentët”, është shprehur Hamza.