Hamza: Nuk rregullohet gjendja në Kosovë me përkrahje morale
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar programin qeverisës të prezantuar sot në Kuvend nga kryeministri Albin Kurti.
Hamza ka thënë se ka një dallim të madh në mes të kornizës afatmesme të shpenzimeve që është miratuar në qeveri dhe programit qeverisës, shkruan “Epoka e re”.
“Ka diskrepancë të madhe të kornizës afatmesme të shpenzimeve që e keni aprovuar në qeveri me programin e qeverisës. Dhe, kur programi nuk ka mbështetje mbetet premtim i parealizuar. Në program përmendni dy prioritete. Çështjen shëndetësore, por asnjë kontratë për vaksina nuk e keni lidhur dhe çështjen ekonomike, e as fondet e para për rimëkëmbje nuk jeni duke i zbatuar. Nuk rregullohet gjendja me përkrahje morale”, ka thënë Hamza, duke kritikuar Qeverinë Kurti edhe për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
“Fonde krijojnë shtetet buxhetet e të cilave operojnë me suficite buxhetore. Ju planifikoni që një grup të ndërmarrjeve publike t’i futni në një fond, pa as një qartësi se si do të bëhet kjo. Premtoni që do të shuani AKP-në dhe do të krijoni një institucion tjetër që është i njëjtë, vetëm se ky nuk do t’i raportojë Kuvendit, por qeverisë”, ka thënë Hamza.