Hamza pas takimit me Lajçaku kritikon Kurtin për draft-vizionin: I kam pikëpyetjet e mia
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza është deklaruar për medie pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Ai ka treguar se çfarë kanë biseduar me Lajçakun.
“Kemi biseduar për situatën e përgjithshme në Kosovë, në regjion, për çështjen e dialogut, për zhvillimet që janë duke ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në këtë pjesë të Kosovës. Gjithsesi që ka qenë temë edhe çështja e urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi që garantojnë lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve. Kemi biseduar edhe për progresin e arritur gjatë këtyre viteve por edhe për ndjeshmërinë që ndodhet dhe është prezente në këtë pjesë të Kosovës dhe të gjithë ne do ta bëjmë maksimumin që të punojmë në dobi të paqes, prosperitetit dhe krijimit të kushteve për jetë të përshtatshme për të gjithë pa dallim, me prioritet zbatimin e ligjit”, ka thënë Hamza.
Kur është pyetur rreth draft-vizionit që është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në takimin e 2 majit, Hamza ka thënë se i ka disa pikëpyetje.
“Pak kisha ndryshuar në pyetje për shkak se një marrëveshje ka ndodhur në Bruksel, ka ndodhur në Ohër dhe është publike. Draft-vizionin të them të drejtën nuk e di, draft-statutin po. Tash është prezantuar një draft-statut, i cili sipas të gjitha gjasave është një dokument që është diskutuar, por jo diçka më shumë. Ka opsione të ndryshme dhe sigurisht që këto çështje kanë me u definuar në ditët në vijim dhe në të ardhmen. Kështu që është prezantuar një dokument. Tash të them të drejtën, a ka qenë rruga e duhur me shkuar deri aty? I kam pikëpyetjet e mia. Është diçka që ka me ndodh në progres”, ka thënë Hamza.