Hamza për buxhetin e KQZ-së për zgjedhjet: Jemi në pritje të përgjigjes nga Kushtetuesja
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka bërë me dije se kanë pranuar një draft-kërkesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ndarjen e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Hamza në një intervistë për “Epokën e re”, javën e kaluar ka thënë se pas qartësimit të situatës nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kompetencat e Qeverisë pas dorëheqjes se Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit do t’i kryejnë të gjitha obligimet në raport me këto dy institucione.
Më tutje, ai ka thënë se shuma e kërkuar për organizimin e zgjedhjeve është e përballueshme, por sipas tij fillimisht duhet ta thotë fjalën Gjykata Kushtetuese.
“Ndonëse ky vit nuk ka qenë vit zgjedhor, duke u bazuar në përvojën e punës sonë në institucione, kemi ndarë një fond në kuadër të Ministrisë së Financave i cili mund të përdoret në rast nevoje. Pra, në këtë fond janë rreth 20 milionë euro, i cili nuk është vetëm për një qëllim, por edhe për qëllime të tjera”.
“Mirëpo në rast nevoje, mbi bazën e nenit 15, paragrafit 2 dhe 7 të ligjit, ministri i Financave ka të drejtë të bëjë transferimin e këtyre mjeteve në cilëndo kategori ekonomike dhe në cilëndo organizatë buxhetore. Pasi kryeministri i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ne jemi në përgjigje të kësaj gjykate dhe mbi bazën e përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese do t’i kryejmë të gjitha veprimet e nevojshme. Kemi marrë një draft-kërkesë nga KQZ-ja dhe PZAP-ja për buxhetin që u nevojitet për këto zgjedhje. Nuk është shumë e cila nuk mund të mbulohet, mirëpo vetëm po presim qartësim të situatës juridike”, ka thënë Hamza.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 6 tetor dhe pritet të kushtin 5 milionë e 698 mijë euro.
/Epoka e re/