Hamza për Haxhi Thaçin: E vështirë të pranojmë këtë humbje, e aq më shumë mënyrën si erdhi

18 mars 2025 | 12:51

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka mbajtur fjalim në mbledhjen komemorative në Skenderaj, pas vdekjes së Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Hamza ka thënë se është e vështirë të pranohet kjo humbje, e aq më shumë nga mënyra se si erdhi.

“Sot jemi mbledhur këtu me zemra të rënduara nga dhimbja, por dhe me nderimin më të madh për jetën dhe veprën e njeriut të urtë, një prindi shembullor, një miku të rrallë, dhe një atdhetari të palëkundur, bacës Haxhi Thaçi. Vërtetë është vështirë ta pranojmë këtë humbje, e aq më shumë mënyrën si erdhi. Me një brengë të thellë, me një dhimbje të heshtur që nuk ka fjalë për ta përshkruar”, ka thënë ai, raporton “Nacionale”.

Më tutje, Hamza ka shtuar se Haxhi Thaçi jetoi me krenari për djalin e tij, Hashimin.

“Me një mall që e digjte shpirtin e tij cdo ditë e më sumë. Baca Haxhi nuk ishte thjesht një baba, por një simbol i përkushtimit, shtyllë e pathyeshme e familjes Thaçi. Ai ishte njeriu që përjetoi padrejtësinë më të madhe. Jo vetëm si nëj shqiptar që për dekada u rrit dhe jetoi në shtypje, por si baba që pati të birin një nga luftëtarët dhe udhëheqësit më të shquar të çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Të mbajtur padrejtësisht në burg, larg familjes, larg popullit, larg atdheut për të cilin dha gjithçka. Përtej të gjithave, baca Haxhi ishte një baba i dhembshur, një prind që jetoi me krenari për djalin e tij, Hashimin. Një dhimbje e pashërueshme, sa herë e përmendte Hashimin dhe shokët e tij, në sytë e tij ndriçonte krenaria, por edhe një dhimbje që vetëm ai mund ta ndjente”, ka thënë Hamza

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…