Hamza: Puna në ‘Trepçë’ më mësoi se për të arritur diçka në jetë duhet shumë punë dhe sakrificë (video)

29 dhjetor 2024 | 14:26

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ishte i ftuar në emisionin “SOL”, ku ka folur edhe për ndikimin që ka pasur puna në kombinatin “Trepça” në jetën e tij.

Hamza ka treguar se puna e tij e parë ishte pikërisht në “Trepçë”, aty ku më herët kishte punuar edhe babai i tij. Gjatë emisionit, ai ka ndarë një moment të rëndësishëm nga jeta e tij profesionale, duke kujtuar për herë të parë kushtet e vështira të punës në shkritore.

“Kur shkova për të vizituar procesin e prodhimit, atëherë pashë për herë të parë vendin ku kishte punuar fillimisht babai im. Ai kishte punuar në shkritore. Xehja dilte në formë të zjarrtë, në temperatura prej mijëra gradësh. Pashë djersën e punëtorëve dhe veshjet e tyre të punës dhe kuptova se babai im më kishte treguar që pikërisht në atë vend të punës, ku shkrihej dhe prodhohej xehja, ai kishte punuar për 12 vjet”, ka thënë Hamza.

Ai ka theksuar se kjo përvojë i dha një mësim të rëndësishëm për sakrificat dhe përkushtimin e nevojshëm për të mbajtur një familje dhe për të arritur qëndrueshmëri.

“E kuptova sa e vështirë ishte puna, sa shumë djersë dhe sakrificë duhej për të krijuar të ardhura, për të zhvilluar familjen dhe për ta mbajtur atë. Aty kuptova se për të arritur diçka në jetë duhet shumë punë dhe sakrificë”, ka thënë Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Napolit, Giovanni Manna, raportohet se ka kontaktuar me…