Hamza: S’dallon shumë struktura dhe vlera e shpenzimit të rezervës
Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë seancës së jashtëzakonshme e cila po mbahet për shpenzimet e Qeverisë, ka thënë se nuk dallon shumë struktura dhe vlera e shpenzimit të rezervës.
Hamza ka thënë se do t’i bëjnë transparente të gjitha shpenzimet. “Nuk jam këtu për ta mbrojtur mënyrën për shpenzimin e parasë publike jashtë rregullave. Kur flasim për shpenzimin e rezervës, i kam të dhënat historike, që ka qenë diku 8 milionë euro ndër vite. Nëse e shohim strukturën e shpenzimeve, nuk dallon nga viti në vit. Nuk dallon shumë në strukturë dhe vlerë. Nuk kemi përkeqësim të asnjë segmenti apo faktor makroekonomik”, ka thënë ministri Hamza.
Ai ka shtuar se ka rritje të vazhdueshme të të hyrave në buxhetin e vendit. “Kemi një rritje të vazhdueshme të të hyrave të buxhetit të Kosovës, gjithashtu kemi rritje të investimeve kapitale, ku pas shumë viteve e kanë arritur nivelin e 500 milionë eurove. Sa i përket ligjshmërisë së shpenzimeve është edhe auditori. Për shënimin e pavarësisë janë ndarë 500 mijë euro, presim që t’i marrim të dhënat që t’i bëjmë transparente”, ka shtruar ai.