Hamza: S’kemi faj nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, ky mund të jetë skenar i VV-së

18 mars 2021 | 22:17

Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kjo parti nuk mund të bartë fajin nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të çështjes së presidentit.

“Pse të jemi fajtorë kur ne nuk jemi parti fituese? Ne marrim faj aq sa na takon faji. Ne i kemi 19 deputetë, kaq është numri i deputetëve të PDK-së. Ne nuk jemi organizatë tjetër fare, ne jemi parti politike. Nuk jemi organizatë që jemi aty kujdestar kur t’i vyjë e çka t’i vyjë të tjerëve”.

“Jemi befasuar se kemi pritur diçka tjetër, tjetër substancë. Unë besoj që të flasim për arsimin, gjendjen shëndetësore dhe atë ekonomike që është shumë e rëndë dhe po shkon duke u përkeqësuar është shumë me rëndësi. Por, për të folur për këto tema tema e parë është konstituimi i institucioneve. Nuk mund të flasësh pa e pasë Kuvendin funksional, Qeverinë dhe presidentin se moszgjedhja e presidentit të çon në zgjedhje”.

“Ata janë sjellë me komoditet edhe herën e kaluar dhe në një mënyrë kanë bërë presion në opozitën duke thënë se për 72 orë harmonizohet programi dhe zgjedhet qeveria. Tash besoj që po sjellën me komoditet të tepruar dhe me arrogancë të numrave, duke thënë se i kemi 58 deputetë dhe e bëjmë qeverinë, nuk kemi nevojë për opozitën dhe se është për tema të caktuara kur të na duhen 80 vota”.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Vetëvendosja si partia fituese është duke e krijuar një skenar që vendi, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, të shkojë në zgjedhje të reja.

“Unë thashë që mund të jetë, nuk mund të paragjykoj. Nuk do të doja që të ishte. Ne nuk po i kontribuojmë kësaj. Krejt përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon partisë fituese. PDK-ja i ka fituar zgjedhjet në vitin 2007 dhe është dashur të ulet, të negociojë dhe të ndajë pushtetin me LDK-në të cilës edhe ia kemi dhënë presidentin. Në vitin 2010 ka qenë e njëjta gjë, derisa në vitin 2014 është dashur ta japim edhe postin e kryeministrit”.

“Edhe tash nëse partive fituese, në këtë rast koalicionit të Vetëvendosjes me listën e Vjosa Osmanit, iu nevojiten vota shtesë përtej këtyre që kanë duhet të ulen me partitë politike dhe të diskutojnë”.

Ai ka thënë se nëse do të rrinë në sallë për t’ia bërë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente, atëherë nuk ka më rëndësi nëse vota e tyre është ‘pro’ apo ‘kundër’.

“Deputeti nuk i nënshtrohet asnjë veprimi të caktuar. E ka autonominë e plotë nëse do të marrë pjesë në seancë, a do të votojë, a do të votojë për, apo kundër. Kushtetuta ia ka dhënë këtë të drejtë dhe këtë nuk mund t’ia mohojë askush”.

“Përtej kësaj, duhet të investohet në diçka më herët për të pritur diçka. Si të rrish në sallë dhe t’ia bësh kuorumin më nuk ka shumë peshë a voton për apo kundër”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas një studimi nga Spitali Universitar Rikshospitalet në Oslo, një…