Hamza: S’kemi vija të kuqe, PDK nuk i përjashton koalicionet as para e as pas zgjedhjeve
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) synon të dalë e para në zgjedhje e jashtëzakonshme që pritet të mbahen.
Për arritur këtë qëllim, në partinë e Enver Hoxhajt nuk i përjashtojnë as koalicionet parazgjedhore, pasi shprehën se nuk kanë asnjë vijë të kuqe për partitë tjera politike.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se në zgjedhje po garojnë me një kandidat i cili i plotëson të gjitha atributet e nevojshme, prandaj sipas tij, presin rezultate të mira zgjedhore.
“Synimi jonë është që të dalim sa më mirë në zgjedhje. Kemi një kandidat i cili i ka të gjitha atributet e nevojshme, jemi në finalizim të programit zgjedhor i cili reflekton nevojat e qytetarëve të Kosovës, kemi ekip të përgatitur, kemi përvojë në këtë punë dhe presim me dalë mirë”, ka thënë Hamza, duke shtuar se PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vija të kuqe me asnjë parti politike.
“Për koalicion para zgjedhor ende janë mundësit e hapura, të shohim se çka prodhon situata. Ne vija të kuqe nuk kemi pasur as në të kaluarën dhe mirë që nuk kemi pasur sepse ata që i kanë pasur mandej i kanë ra vijat e kuqe. Ne konsiderojmë që vijat e kuqe nuk janë të shëndetshme”, ka thënë ai për “Blic”.