Hamza takohet me ambasadorin e Austrisë, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
Kryetari i Mitrovicës dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schetzer.
Hamza ka bërë me dije se me ambasadorin austriak ka biseduar për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.
“Pata kënaqësinë të pres në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë Georg Schnetzer. Austria e ka dëshmuar ndër vite partneritetin dhe mbështetjen karshi Kosovës në etapat më të rëndësishme të shtetformimit dhe shtetndërtimit dhe kjo mbështetje është esenciale edhe në këtë kohë. Me ambasadorin Schnetzer diskutuam që ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe koordinimin në rrugën e vetme që duhet të ketë Kosova, anëtarësimin në organizatat kryesore ndërkombëtare, në krah me aleatët e dëshmuar të vendit”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.