Hamza takon diplomaten amerikane, flasin për financat publike
Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, ka pritur të martën në takim të ngarkuarën me punë në misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Colleen Hyland, me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin institucional, me fokus të veçantë në fushën e financave.
Hamza duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) si partner strategjik të Kosovës, ka falënderuar diplomaten Hyland, për ndihmën dhe kontributin që Amerika ka dhënë dhe vazhdojnë të japin për institucionet e Kosovës, sidomos për Ministrinë e Financave (MF).
Gjatë këtij takimi, Hamza e ka njoftuar Hylandin për të arriturat dhe sfidat e Ministrisë së Financave, në veçanti për procesin e buxhetit të shtetit për vitin 2019, si dhe për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend.
Ndërsa, diplomatja Colleen Hyland, ka përgëzuar ministrin Hamza për angazhimin e tij dhe të Ministrisë së Financave (MF) për procesin e buxhetit për vitin 2019.
Ajo ka shprehur gatishmërinë e saj dhe të shtetit amerikan për të rritur bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të avancimit të Kosovës në menaxhimin e financave publike.
/Epoka e re/