Hamza takon emisarin gjerman: PDK do të përkushtohet që bashkë me aleatët ta forcojmë paqen dhe sigurinë në rajon

29 gusht 2024 | 18:41

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar për takimin që ka pasur sot me emisarin gjerman për rajonin, Manuel Sarrazin. Hamza ka treguar se kanë folur për zhvillimet politike në vend dhe në rajon.

Në reagimin e tij, Hamza ka thënë se PDK-ja vazhdon të jetë e përkushtuar që në koordinim të plotë me aleatët të forcohet paqja dhe siguria në të gjithë rajonin.

Si kandidat për kryeministër, Hamza ka thënë se në politikë të jashtme do të jetë prioritet forcimi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës, normalizimi i raporteve me fqinjët dhe integrimi euroatlantik.

Sipas Hamzës, përkrahja e Gjermanisë është jetike për Kosovën.

“Sot kishim një takim të frytshëm me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin diskutuam për zhvillimet politike në vend e rajon.

Si subjekt politik, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar, që në koordinim të plotë me partnerët tanë ta forcojmë paqen dhe sigurinë në tërë rajonin tonë. Ndërsa, si kandidat për kryeministër, prioritete të politikës së jashtme në qeverisjen time do të jenë forcimi i subjektivitetit shtetëror, normalizimi i raporteve ndërfqinjësore, përafrimi i vendeve të rajonit dhe integrimi euroatlantik.

Në rrugën evropiane të Kosovës është jetike përkrahja e Gjermanisë dhe me përkushtim të palëkundur do ta ruajmë partneritetin me të gjithë aleatët tanë”, ka shkruar Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 36-vjeçar ka vdekur në Gjilan, pasi është goditur nga…