Hamza: Do t’i vazhdojmë reformat fiskale
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 ekonomia e Kosovës ka treguar performancë relativisht të mirë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se sa iu përket granteve nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë për këta dhjetë muaj të mandatit të tij ka arritur që shtetit të Kosovës t’i sjellë grante ose “para falas” në vlerë prej 94.1 milionë eurosh.
Hamza ka bërë të qartë se nuk do të ketë tatime të reja, nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese, por do të ketë vetëm lirime nga tatimet dhe thjeshtëzim të procedurave në mënyrë që të shtyhet sektori privat drejt rritjes.
Duke folur për Projektligjin për pagat, ministri Hamza ka pohuar se ky projektligj do t’i trajtojë barabartë të gjithë punonjësit në sektorin publik.
Albulena S. MAVRAJ
“Epoka e re”: Z. Hamza, si e vlerësoni gjendjen e stabilitetit fiskal në vend?
Hamza: Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 ekonomia e Kosovës ka treguar performancë relativisht të mirë. BPV, në terma realë, vetëm gjatë tremujorit të parë është rritur për 3.5 për qind. Kjo është shtyrë kryesisht nga rritja e investimeve publike dhe private në rritje prej 10 përqindësh, remitencat rreth 6 për qind, eksporti i shërbimeve rreth 16.3 për qind, duke ndikuar kështu në rritjen e konsumit të përgjithshëm përreth 4.4 për qind në terma realë. Vlen të theksohet se trendi rritës i investimeve, remitencave dhe konsumit është sinjal i mirë i aktivitetit të shtuar privat. Ky është edhe qëllimi ynë. Krahas ecurive të mira ekonomike, edhe performanca e të hyrave për periudhën janar – qershor të vitit 2018 është e mirë. Në këtë drejtim të hyrat buxhetore kanë shënuar 814.9 milionë euro, që korrespondon me 45.3 milionë euro ose rreth 6 për qind, më shumë krahasuar me gjashtëmujorin e vitit paraprak. Kjo rritje ka ardhur në masë të madhe nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore. Trendi i të hyrave tatimore vlerësohet se vjen si rrjedhojë e performancës së sektorit privat, përmirësimit të vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes dhe vëllimit të shpenzimeve publike. Ndërsa edhe shpenzimet kanë arritur në 844.1 milionë euro përgjatë gjashtëmujorit të vitit 2018, apo 9.7 për qind më shumë krahasuar me shpenzimet e realizuara gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje kryesisht është nxitur nga ekzekutimi më i lartë i investimeve kapitale, të cilat janë rritur për 15 për qind krahasuar me vitin paraprak, të pasuara nga kategoritë e shpenzimeve për subvencione dhe transferime me rreth 9.8 për qind, si dhe rritje e shpenzimeve të pagave përreth 7 për qind bazuar në legjislacionin për Ligjin e pagave, planifikuar dhe implementuar për herë të parë në buxhetin e vitit 2018. Krahasuar me planin, por edhe rregullën fiskale, deficiti buxhetor është i ulët dhe sillet vetëm rreth 0.7 për qind në raport me BPV-në. Gjithashtu, bilanci bankar regjistron shifra stabile, duke arritur në rreth 4.7 për qind në raport me BPV-në e projektuar për vitin 2018, normë kjo brenda rregullës fiskale.
“Epoka e re”: Në mandatin tuaj keni nënshkruar një mori marrëveshjesh financiare. Mund të na thoni se sa është deri më tani borxhi publik dhe sa nga to kanë qenë grante apo siç ju i referoheni, “para falas”?
Hamza: Po, kemi nënshkruar marrëveshje financiare me institucionet financiare ndërkombëtare përmes të cilave ndikohet drejtpërdrejt në përmirësimin e kualitetit të jetës së shtetasve tanë. Borxhi i përgjithshëm publik deri më 30. 6. 2018 është 1,035.12 milion euro, apo 16.5 për qind e BPV-së (të vitit 2017), që e rangon Kosovën me nivelin më të ul`t të borxhit në rajon dhe më gjerë. Nga kjo shumë, borxhi i brendshëm është 616.75 milionë euro, ose 59.6 për qind, ndërsa borxhi i jashtëm është 418.37 milionë euro, ose 40.4 për qind. Bazuar në Ligjin për borxhin publik, Kosova ka të drejtën të hyjë në borxh deri në 40 për qind të BPV-së. Por, ne jemi të përkushtuar të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim.
“Epoka e re”: Sa janë grantet apo, siç ju i referoheni, “paratë falas”?
Hamza: Sa iu përket granteve nga donatorët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për këta dhjetë muaj të mandatit tim, kam arritur që shtetit të Kosovës t’i sjellë grante ose “para falas” në vlerën prej 94.1 milionë eurosh.
“Epoka e re”: Si është gjendja financiare te rezerva e shtetit?
Hamza: Rezerva e shtetit zakonisht përdoret për financimet të cilat nuk kanë pasur mundësi të planifikohen në procesin e rregullt buxhetor. Në përputhje me kërkesat e natyrës së tillë, ajo edhe shpenzohet. Sidoqoftë, është diçka që në procese të rregullta buxhetore mund të rimbushet, nuk ka ndonjë kufizim ligjor por, si në çdo proces, edhe këtu që nga fillimi kemi kërkuar të jemi të kujdesshëm me shpenzimin e rezervës.
“Epoka e re”: Ka ardhur tek ju Projektligji për pagat dhe nëse mund të na konfirmoni nëse do të jetë shuma 239 euro për koeficient dhe mbi çfarë baze është llogaritur ky koeficient?
Hamza: Kam theksuar edhe më herët se draftligjet e reformës së Administratës Publike janë me një rëndësi të veçantë për administratën e shtetit dhe, si të tilla, ne i përkrahim. Është e rëndësisë parësore të përgatiten ligje moderne, adekuate, parimore, të drejta, të cilat do të jenë në funksion të plotë të zhvillimit të shtetit dhe të prosperitetit të shoqërisë sonë. Do të duhet të zbatohen parimet që për punën e njëjtë zyrtarët të paguhen njëjtë dhe pa dallime, pra parimin e barabarësisë, transparencës dhe llogaridhënies. Konsideroj se për këto aspekte është dashur dhe duhet ta ketë parasysh ministria sponsorizuese që është duke i punuar këto draftligje, duke përfshirë edhe draftligjin për pagat. Departamenti i Buxhetit është duke i asistuar Ministrisë së Administratës Publike për ta llogaritur koston financiare apo ndikimin buxhetor që do ta kenë këto ligje. Ne jemi në pritje të drafteve finale që t’i kemi në mënyrë që edhe në Ministri të Financave ta dimë saktësisht se sa do të jetë kostoja e tyre.
“Epoka e re”: Keni marrë edhe vendime për ta ndihmuar prodhimin e vendit. Cilat janë ato dhe si kanë ndikuar në zhvillim të prodhimit vendor?
Hamza: Me marrjen e mandatit tim e kam bërë të qartë se nuk do të ketë tatime të reja, nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese, por do të ketë vetëm lirime nga tatimet dhe thjeshtëzim të procedurave në mënyrë që ta shtyjmë sektorin privat drejt rritjes, përkatësisht drejt zhvillimit. Sektori privat duhet të jetë bartës i zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe mbi këtë bazë të këtij vizioni, kemi marrë vendime për lirim nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmëproduktin, linjat e prodhimit dhe pajisjet e IT-së, dhe pjesët rezervë për linjat e prodhimit. Gjithashtu, kemi liruar nga tatimi i akcizës të gjitha lëndët ndihmesë që marrin pjesë në procesin e prodhimit, dhe të dhënat e para në këtë gjashtëmujor janë shumë pozitive. Nga këto masa sot kanë përfituar 622 kompani prodhuese. Po ta shohim vlerën e importeve nga këta prodhues, del se në gjashtëmujorin e vitit 2018 është importuar lëndë e parë dhe gjysmëprodukte me lëndët ndihmesë në proces të prodhimit në vlerë prej 130 milionë eurosh, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2017 ishin importuar 76 milionë euro, pra kemi një ngritje prej 53 milionë eurosh më shumë apo, shprehur në përqindje, 70 për qind është vlera e importit më e lartë. Dhe kjo dëshmon për aktivitet të shtuar të prodhimit në vendin tonë, që është pozitive për zhvillim të ekonomisë dhe kështu po arrijmë qëllimin tonë përmes politikave fiskale.
“Epoka e re”: A janë të mjaftueshme vetëm politikat fiskale për zhvillim ekonomik dhe konkurrencë të drejtë të bizneseve?
Hamza: Pa dyshim se politikat fiskale janë vetëm një element shumë i rëndësishëm, por janë edhe sektorët e tjerë që duhet të kontribuojnë. Në këtë aspekt, për të krijuar një ambient të drejtë, me një konkurrencë të shëndoshë, në fazën e ardhshme ne po synojmë që përmes ligjeve dhe veprimeve konkrete, përmes institucioneve ligjzbatuese, ta luftojmë ekonominë joformale. Kemi në proces të rishikimit të gjithë legjislacionin tatimor, ku kemi për qëllim t’i thjeshtësojmë procedurat, ta zhvillojmë një qasje tjetër të administratës ndaj biznesit, duke eliminuar diskrecionin e zyrtarëve të administratës dhe duke zhvilluar metodën e kontrollit bazuar në risk, më pas duke krijuar një administratë sidomos te TVSh-ja, të specializuar për kontrollin dhe mbledhjen vetëm të TVSh-së si tatim i konsumatorit ku, sipas të dhënave tona, këtu kemi informalitetin më të madh, pra do të jetë proces i ndarë nga administrata tjetër që ka për detyrë mbledhjen e tatimit të kompanive. Po ashtu, këtu kisha theksuar edhe nënshkrimin e marrëveshjeve për eliminim të tatimit të dyfishtë me shumë shtete që jemi duke bërë. Edhe kjo ndikon jo vetëm në rritje të investimeve të huaja, por edhe në krijimin e ambientit të mirë për bizneset me luftimin e evazionit të mundshëm fiskal.
“Epoka e re”: Ministër, kthehemi edhe një herë te buxheti i 2018-s. Është paralajmëruar se këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit. A do të ketë ndonjë sfidë për institucionet?
Hamza: Rishikimi i buxhetit, që ta kemi të qartë, nuk është obligim ligjor. E dyta, edhe nëse ndodh rishikimi i buxhetit, gjithmonë duhet të jetë neutral. Siç theksova më parë, buxheti është përgatitur në fillimvit në përputhje me planin e Qeverisë dhe në harmoni me vizionin tonë kah i kemi orientuar prioritetet dhe objektivat zhvillimore, pra duke u bazuar në dokumentet tona strategjike afatmesme. Të hyrat e përgjithshme janë duke u performuar mirë, shpenzimet janë duke shkuar brenda planit, nëse ka kërkesa brenda strukturës së shpenzimeve, atëherë sipas Ligjit të buxhetit 2018 në muajin tetor, ministri i Financave gëzon të drejtën ligjore për të marrë veprime sipas kërkesave të organizatave buxhetore në pozicionet në të cilat ka nevojë për mjetet shtese.
“Epoka e re”: Sa i përket pagesës prej 53 milionë eurove për “Bectel Enka”-n, si do të akumulohet kjo shumë?
Hamza: Me vendim qeveritar, sipas rekomandimit të komitetit ndërministror, është vendosur pagesa prej 53 milionë eurosh. Kjo është procedurë dhe çështje që i përket Ministrisë së Infrastrukturës.
“Epoka e re”: Ministër, për kureshtjen tonë, do ta pranoni pagën ashtu si e thotë Projektligji për pagat, sepse do të jetë sërish më e madhe?
Hamza: Ligji është ligj. Kjo është ajo që kam kërkuar, që pagat të rregullohen me ligj, në mënyrë që ligji t’i trajtojë të gjithë pa dallim. Tani është një gjë e mirë sepse është duke u finalizuar ky ligj për ta dërguar në Kuvend.
“Epoka e re”: Megjithatë, ju si guvernator i BQK-së keni pasur një pagë më të madhe se të kryeministrit të vendit.
Hamza: Po, e kam gjetur atë pagë, dhe e kam lënë të njëjtën pagë. Për më shumë, pagat e BQK-së nuk janë nga buxheti i shtetit.
“Epoka e re”: Disa sindikata kanë paralajmëruar protestë për shkak të pagave dhe përfitimeve që u kishin premtuar liderët partiakë. A do të kemi rrezik social marrë parasysh mjetet financiare që i ka shteti?
Hamza: Besoj se Ministria e Administratës Publike, e cila është duke e punuar draftligjin për pagat, ka një komunikim të drejtë dhe transparent me sindikatat, të cilave u jep mundësi për t’i paraqitur pikëpamjet. Po ritheksoj se Ligji për pagat do t’i trajtojë barabartë dhe fer të gjithë punonjësit në sektorin publik në Kosovë.