Hamza u premton banorëve të Bairit çerdhe, shteg biçikletash, ndriçim dhe infrastrukturë
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, sonte ka takuar banorët e lagjes Bair të Mitrovicës.
Ai u ka premtuar atyre ndërtimin e shtegut të biçikletave, rregullimin e ndriçimit publik, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe një çerdhe për fëmijë në pjesën e epërme të lagjes Bair.
“Një takim shumë miqësor me banorët e lagjes Bair, ku bashkëbiseduam për problemet dhe brengat e tyre. Në këtë pjesë të Mitrovicës do ta ndërtojmë shtegun e biçikletave dhe do ta rregullojmë ndriçimin publik gjithandej lagjes, duke përmirësuar njëherësh edhe infrastrukturën rrugore.
Në pjesën e epërme të lagjes Bair do ta ndërtojmë edhe një çerdhe, e cila do të shërbejë si shtëpi e dytë për fëmijët e vegjël, deri sa prindërit ta përfundojnë orarin e tyre të punës.
Qyteti i Mitrovicës, çdo lagje dhe fshat i saj, meriton kujdes më të madh nga qeverisja komunale. Bashkë për një jetë më të mirë. Bashkë për Mitrovicën!”, ka shkruar Hamza.