Hamza vizitë në Francë, zhvillon takime të nivelit të lartë
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza po qëndron për vizitë në Paris, prej ku ka njoftuar se ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë nga kabineti i presidentit Emmanuel Macron dhe qeveria, më konkretisht, Ministria e Jashtme.
“Në takimin me zyrtarë të nivelit të lartë në Paris, theksova rëndësinë jetike për Republikën e Kosovës të mbështetjes historike dhe të vazhdueshme të Francës në proceset e integrimit euro-atlantik. Vura në dukje shumë fusha si ekonomia, siguria, etj., ku ky bashkëpunim mund të forcohet”, ka shkruar Hamza në platformën “X”.
Më tutje, Hamza ka falënderuar nikoqirët e takimit.
“Falënderoj z. Bertrand Buchëalter, këshilltar i Presidentit Emanuel Macron për Europen kontinentale dhe Turqinë, ambasadorin René Troccaz, të deleguarin special për Ballkanin Perëndimor, znj. Marguerite Costa de Beauregard, drejtoreshë për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, për angazhimin e tyre për progresin në Ballkan dhe Kosovë”, ka shkruar Hamza.
Kujtojmë se kjo vizitë e paparalajmëruar është e dyta që Bedri Hamza bën në kryeqytetet e shteteve te Quint-it, pas një vizite në gusht në ShBA, ku kandidati opozitar për kryeministër është pritur në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentin e Shtetit.
Vizita e Hamzës në Elysee vjen në kohën e ftohjes së marrëdhënieve në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj franceze, pas mosmarrëveshjeve rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që është bllokuar nga Gjermania dhe Franca.