Hamza vlerëson mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një takim bilateral me delegacionin gjerman të udhëhequr nga sekretarët e Shtetit Maria Flachsbarth dhe Thomas Silberhorn, me rastin e vizitës së tyre në Kosovë.
Ministri Hamza ka falënderuar delegacionin për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka ofruar drejt zhvillimit të përgjithshëm ekonomik e social të Kosovës.
Në veçanti, ministri ka falënderuar sekretaren e Shtetit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Maria Flachsbarth, për bashkëpunimin tejet të frytshëm me Ministrinë e Financave si bashkëpunëtorë kyç.
Ndërsa, ai gjithashtu i ka shprehur falënderim edhe sekretarit të Shtetit për Mbrojtje, Thomas Silberhorn, për iniciativën e përbashkët për transformim të Kampit të KFOR-it Gjerman në Prizren në një Park Inovacioni që do t’u shërbejë bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës.
Duke njohur sukseset e përbashkëta në lidhje me bashkëpunimin zhvillimor mes dyja vendeve, ministri Hamza ka theksuar se projektet që janë realizuar së bashku, ai i Kogjenerimit për Termokosin, furnizimi me ujë të pijes në Prishtinë, trajtimi i ujërave të zeza në pjesën jugperëndimore të Kosovës, dhe efiçienca e energjisë, kanë ndikuar dhe do të vazhdojnë të ndikojnë në masë të madhe për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës.
Sekretarja e Shtetit, Maria Flachsbarth, ka falënderuar ministrin Hamza për marrëdhëniet profesionale dhe të besueshme mes dyja qeverive, duke theksuar se Gjermania mbetet e përkushtuar që ky bashkëpunim i shkëlqyer të vazhdojë edhe me projektin e veçantë të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.
/Epoka e re/