Sektori jobankar në Kosovë, në trend të mirë të zhvillimit
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Inovacionit Financiar të Kosovës (SHIFK) Venhar Hana, ka pritur të martën në takim zyrtar të lartë të International Finance Cooporation (IFC) Liliana Pozzo dhe Nuria Perez, këshilltare të IFC-së për Regjionin e Amerikës Latine, Evropë dhe Azi Qendrore dhe Partneritet në Inovacion.
Në takim, Hana ka njoftuar lidhur misionin, qëllimet dhe aktivitetet e SHIFK-së të cilat përfshijnë promovimin e zhvillimit të teknologjisë në sektorin financiar, sikurse dhe nevojën për edukim financiar sa më të mirë të konsumatorëve në vend.
Po ashtu, të pranishmit janë njoftuar lidhur me zhvillimin e industrisë dhe produkteve financiare jobankare të cilat ofrohen nga anëtarët dhe nga tregu në përgjithësi, duke potencuar dhe investimet e huaja në vitet e fundit në industrinë “fintech” në Kosovë.
Sipas kësaj komunikate, nga zyrtarët e IFC-së, u theksua se sektori financiar jobankar në Kosovë ka kapacitete të mëdha të zhvillimit veçmas me investimet e huaja të kryera në këtë sektor, sikurse që është me rëndësi të veçantë edhe diversifikimi i produkteve financiare jobankare të cilat ofrohen nga institucionet financiare në Kosovë.
Gjithashtu, në takim u tha se IFC-ja është e gatshme për të ofruar ndihmën e saj në zhvillimin e mëtejmë të kësaj industrie përmes partneriteteve potenciale.
Zyrtaret e IFC-së Liliana Pozzo dhe Nuria Perez për herë të parë vizitojnë Kosovën dhe kanë përvojë të gjatë ndërkombëtare në zhvillimin dhe implementimin e produkteve financiare duke përdorur kanalet digjitale sikurse telefonat mobil dhe të ngjashme.
/Epoka e re/